Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Racing Genk. Kjo skuadër po kalon në një moment të vështirë dhe drejtuesit po mendojnë shkarkimin e trajnerit Peter Maes.
Ditët e drejtuesit janë të numëruara dhe në Luminus Arena duket se kanë përzgjedhur edhe pasardhësin, transmeton TCH. Bëhet fjalë pikërisht për Hasin, i cili aktualisht është i lirë, pas largimit nga Legia e Varshavës në mesin e muajit shtator.
Nëse emërohet, detyrat e gjakovarit për pjesën e mbetur të sezonit janë të qarta. Fillimisht 44-vjeçari Hasi duhet t’u japë më tepër hapësira lojtarëve të rinj të akademisë së Genkut.
Me 10 ndeshje të mbetura deri në mbylljen e sezonit të rregullt dhe faktin që në klub ka pak optimizëm për të rikuperuar diferencën prej nëntë pikësh nga vendi i gjashtë, i cili është pozicioni i fundit që lejon pjesëmarrjen në raundin ku përcaktohet fituesi i titullit, drejtuesit kërkojnë që Hasi të përqendrohet në Kupën e Belgjikës dhe në Europa League.