Sulmuesi brazilian, Neymar ka vazhduar me probleme te skuadra franceze Paris Saint-Germain, ku kësaj radhe është trajneri dhe jo ndonjë bashkëlojtar.
Pas sulmuesit uruguaian, Edinnson Cavanit, radha ka ardhur edhe për trajnerin spanjoll, Unay Emery.
Neymar duket se nuk po përmbahet te PSG, si në fushën e blertë edhe në marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të klubit.
Nëse javë më parë “objektiv” i brazilianit ishte “El Matador”, ditët e fundit e ka pësuar tekniku spanjoll i parisienëve.
Sipas prestigjiozes franceze L’Equipe, ka pasur një përplasje mes Emeryt dhe Neymarit pas fitores me Anderlechtin në Ligën e Kampionëve, përcjell SS.
Trajneri ka zhvilluar një seancë shtrydhëse me titullarët menjëherë pas takimit, para se t’ua linte vendin rezervave.
Ish-sulmuesi i Barcelonës ka kërkuar që të stërvitej me topin edhe me rezervat, por përgjigjja e trajnerit ka qenë negative.
Madje sipas L’Equipe, Emery ka reaguar me shumë nervozizëm, duke shkelmuar me forcë topin drejt murit, para se të futej furishëm në dhomat e zhveshjes.