Në një komunikatë të dërguar medieve nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të nënshkruar nga Ramush Haradinaj, thuhet se kryeministri dhe Qeveria duhet të japin përgjegjësi për gjendjen kaotike energjetike.
Sipas Haradinajt, “ata duhet t’i tregojnë këtij populli se ku janë zhytur dhe pse nuk po vihen në anën e tij”.
Ky është reagimi i plotë:
Jam tejet i shqetësuar me lajmet që vinë nga të gjitha anët, ku mijëra familje po e vuajnë mungesën e energjisë dhe unë nuk po e kuptoj pse këto lajme nuk po mbërrijnë në veshët e qeveritarëve.
Kryeministri dhe Qeveria, duhet të japin përgjegjësi për këtë gjendje kaotike energjetike.
Ata duhet t’i tregojnë këtij populli se ku janë zhytur dhe pse nuk po vihen në anën e tij.
Burimet energjetike janë pasuri e popullit dhe ato nuk mund të tjetërsohen dhe populli të mbetët pa bazën e jetesës normale.
Ndërhyni sa nuk është bërë vonë, sepse zullumi që po ia shkaktoni qytetarit të këtij vendi, po i kapërcen të gjitha limitet. /Telegrafi/