Site icon Telegrafi

Haradinaj premton shpërndarje të barabartë të investimeve kapitale

Lideri i AAK-së, njëherësh kandidat i koalicionit PAN, për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se investimet kapitale do të decentralizohen në mënyrë që shpërndarja të jetë e barabartë.

Haradinaj, përmes postimit në Facebook, ka thënë se “grantet buxhetore për investimet kapitale për komunat, do të dyfishohen”, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Shpërndarje e barabartë e investimeve kapitale!

Kamenica, respektivisht Dardana e sotme, është një prej nyjeve më të rëndësishme të vendit tonë. Ajo lidh korridore kyçe, por i lidhë edhe trevat shqiptare të Kosovës Lindore me shtetin e tyre të zemrës – Kosovën.

Qeveria e ardhshme e vendit do ta fokusojë pjesën e investimeve më të mëdha, përgjatë mandatit, pikërisht në ngritjen e infrastrukturës së duhur përmes investimeve kapitale që për qëllim kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve por edhe qarkullimin më komod të mallrave dhe të njerëzve midis bashkëkombasve tanë në Kosovën Lindore dhe shtetit të tyre të zemrës.

Investimet kapitale do të decentralizohen në mënyrë që shpërndarja të jetë e barabartë. Nuk do të kemi investime regjionale me karakter politik. Kjo logjikë do të ndryshojë!

Grantet buxhetore për investimet kapitale për komunat, do të dyfishohen.#KohapërFillimineRi”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version