Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është lajm i mirë për të gjithë banorët dhe bizneset në Drenas, përurimi i Nënstacionit të ri.
Haradinaj ka theksuar se investimi prej 6.8 milionë euro në nënstacionin në Drenas do të stabilizojë dhe modernizoj tregun e energjisë, si dhe do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe industrial për shumë biznese në Parkun e Biznesit, ekonomitë e vogla dhe ato familjare, transmeton Telegrafi.
Shkrimi i plotë:
“Përurimi i Nënstacionit të ri në Drenas, në vlerë prej 6.8 milionë euro, shtytje për zhvillim ekonomik dhe të tregut të energjisë!
Lajm i mirë për gjithë banorët dhe bizneset në Drenas me rrethinë është përurimi i sotëm i Nënstacionit 220/10(20)kV Drenasi 2 dhe Linjës së Dyfishtë Ajrore Transmetuese 220 kV.
Një investim prej 6.8 milionë eurosh, bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës dhe BERZH, ky nënstacion, përveç që do të stabilizojë dhe modernizoj tregun e energjisë në këtë anë, do të mundësoj edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe industrial për shumë biznese në Parkun e Biznesit, ekonomitë e vogla dhe ato familjare.
Drenasi kështu po bëhet qyteti i dytë në Kosovë, pas Mitrovicës për përvetësimin e teknologjisë më të re në fushën energjisë dhe sigurisë, teknologji kjo që rritë besueshmërinë, stabilitetin dhe përfitimet e këtij regjioni. Urime Drenas, Urime Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/