Site icon Telegrafi

Haradinaj: Nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike

Kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë pune në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, me ç’rast u prit nga ministri Valdrin Lluka.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri u takua edhe me drejtorët e departamenteve dhe me përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike.

Duke e konsideruar këtë takim të frytshëm, kryeministri Haradinaj tha se me ministrin Lluka janë në punë të vazhdueshme për zgjidhjen dhe tejkalimin e sfidave, edhe pse nuk është i lehtë ballafaqimi me gjendjen në energji dhe implikimet që ndërlidhen me këtë fushë.

“Konstatojmë se tani e kemi kaluar periudhën kritike. Kemi hapur shumë tema të rëndësishme për vendin, siç janë minierat, mineralet, impiantet e ujërave të zeza që së bashku me ministritë, komunat, kompanitë rajonale të ujërave dhe me qeveritë e vendeve të huaja, po kalojmë në etapën kur jo vetëm do të sjellim lajme të reja, por efektet do të ndjehen në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Haradinaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se është diskutuar për krijimin e vlerave të reja të projekteve ekonomike në vend për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës, për zhvillimin e sektorit energjetik, sektorin e minierave, “Trepçën”, si dhe për mundësinë e investimeve të huaja në Kosovë.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj është përgjigjur në interesimin e mediave për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se gjendja në energji është stabile, duke përsëritur se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë dhe se rritja nuk është në plan./Telegrafi/

Exit mobile version