Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA ka zhvilluar tubim madhështor në qytetin e Pejës.
Ai i ka entuziazmuar qytetarët pjesmarrës kur ka folur për Demarkacionin, ku ka premtuar se kufini nuk do të bië nga Qafa e Çakorrit.
“Nuk ka post, nuk ka pushtet, nuk ka forcë që më ligë që kufini të bie nga Qafa e Çakorrit”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.net
Lideri i AAK-së i është kundërpërgjigjur edhe akuzave për tradhti nga partitë e tjera politike.
“Unë nuk mundem të dalë kundër vetes. Nuk e kam tradhtuar asnjë bindje timen, nuk e kam tradhtuar asnjë qëllim politik, përkundrazi është krijuar mundësia që bindjet e mia t’i bëj realitet, e jo të mbeten vetëm duke u ankuar e kritikuar”, ka thënë Haradinaj.
“Atdheu është një dhe i kemi borxh për gjithë jetën. E falënderoj PDK-në që ma besoi postin e kryeministrit, po unë do t’i shërbej me nder qytetarëve dhe vendit. Nuk do të lejoj që të nëpërkëmbet nderi i shqiptarit”, përfundoi Ramush Haradinaj.
Ai gjithashtu ka premtuar edhe fuqizim të ekonomisë, hapje të vendeve të reja të punës, fuqizim të të rinjve.
“Më 11 qershor ju e keni në dorë një Qeveri që nuk e lë Kosovën të fundit. Një Qeveri që të sëmurit do t’i shërojë në Kosovë”, përfundoi kandidati për kryeministër.
Në këtë tubim ishin pjesmarrës edhe kandidatë nga koalicioni PDK-AAK-NISMA.