Lideri i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore që ka mbajtur sot në Istog, ka thënë se bujqit e kësaj treve do ta kenë partner të sigurt e mbështetës për bereqetin e tyre, Qeverinë e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Istogu gjithmonë ka pasur njerëz të zotët, të pushkës dhe të pendës.
“E kam bërë me nderin më të madh punën me Presidentin Rugova. Me nderin më të madh do t’i shërbej atdheut edhe me besimin e dhënë nga partnerët e koalicionit”, ka thënë Haradinaj.
Ai është zotuar se do t’i përshpejtojë projektet infrastrukturore, tashmë të stërzgjatura dhe të vonuara në këto treva dhe ta lidhin Istogun me rrugë deri në Prizren.
“Bujqit e kësaj treve do ta kenë partner të sigurt e mbështetës për bereqetin e tyre, Qeverinë e Kosovës”, tha Haradinaj dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që më 11 qershor të vendosin për të nisur rrugëtimin drejt së ardhmes.