Drejtoria Komunale për Arsim e komunës së Drenasit, së bashku me Qendrën për Avancimin e Performancës së Arsimit (QAPA) në shkollën fillore të mesme të ulët “Migjeni” në fshatin Baicë, kanë hapur zyrtarisht Shkollën Verore “Dielli”.
Kjo shkollë verore që për herë të parë u bë në komunën e Drenasit është hapur zyrtarisht të hënën më 01.07.2024, shkruan Telegrafi.
Drejtori i Arsimit në komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka, për Telegrafin tregon se sa kohë i ka marrë organizimi kësaj shkolle dhe deri kur do të qëndrojë e hapur.
“Organizimi i krijimit të shkollës verore na ka marrë kohë rreth dy muaj. Kjo shkollë thërret të gjithë fëmijët të gëzojnë aventurat e reja të verës, të mësojnë dhe të rriten nën diellin e ndritshëm dhe frymën frymëzuese të hapjes së shkollës së tyre verore. Ndërsa, shkolla do të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik” u shpreh Gjoka.
Sipas drejtorit të Arsimit, nxënësit në këtë shkollë do të kenë mundësi të ndjekin mësime të fushave të ndryshme, të cilat do të iu ndihmojnë në zhvillimin e tyre.
“Në këtë shkollë do të kenë mundësi t’i ndjekin mësimet fëmijët nga klasa e shtatë dhe tetë. Aktivitetet do të jenë nga fusha të ndryshme si matematike, TIK, art, gjuhë angleze dhe edukatë fizike. Për çdo dite do të kemi mysafir të ftuar nga fusha të ndryshme, për tu lehtësuar mësimet”, tha ai. /Telegrafi/