Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me buxhet vetjak në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh ka përuruar projektin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar në Republikën e Kosovës.
Ky projekt kishte nisur si ide rreth pesë vjet më parë në Komunën e Shtimes, pikërisht në fshatin Rashincë.
Në këtë ceremoni të inaugurimit morën pjesë edhe donator të ndryshëm e zyrtarë të kompanisë “Celestron” nga SHBA-ja, që është donatori kryesor i Observatorit, të teleskopit diellor, astronomë, shkencëtarë.
Ndërkohë, lidhur me këtë projekt, pati reagime edhe nga opozita në Shtime për të sqaruar se rreth pesë vjet më parë inicimi i këtij projekti kishte nisur nga ish qeverisja e PDK-së në Shtime.
Me këtë rast, Ministria e Arsimit, Shkencës , Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, tha se në një kohë rekorde e përfunduan projektin pas nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit me komunën e Shtimes.
“Sikurse u përmend se ideja nisi diku më shumë se pesë vjet më parë, në atë kohë unë isha deputete dhe anëtare e komisionit për Arsim dhe Ekonomi e Buxhet dhe në atë moment kur mora kërkesën që ta mbështes këtë kërkesë për të filluar dhe për të ndarë buxhetin për ndërtimin e këtij Planetariumi, gjëja e parë që bëja është se u konsultova me profesorin (J. G) se kjo ide a mund të realizohej në një fashat sikur ky në Shtime dhe ishte një grup i entuziazve të rijnë të cilët e kishin vullnetin”, ka thënë midis të tjerash Nagavci.
Kryetari i Komunës së Shtimës Qemajl Aliu, tha se është një ditë e veçantë dhe historike jo vetëm për komunën e Shtimes, por për të gjithë shtetin e Kosovës dhe më gjerë.
“Pikërisht para një viti e gjysmë në këtë vend vendosem gurë-themelin e këtij projekti madhështor i cili u ndërtua për një kohë rekord. Me shumë krenari dhe gëzim sot po e inaugurojmë observatiumin dhe planetariumin e parë këtu në vendin tonë në fshatin Rashincë. Ky projekt unik nga sot e tutje komunën tonë e vendos në hartën e vendeve ku i kushtohet vëmendje e hulumtimit shkencor astronomik që do të ketë ndikim të thellë në të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë Aliu.
Subjekti i PDK-së në Shtime, nëpërmjet një shkrese, pas përfundimit të kësaj ceremonie, ka sqaruar se ky projekt kishte nisur nga ish qeverisja e tyre në Komunën e Shtimes.
“Projektin për Observatorin dhe Planetariumin ka filluar gjatë mandatit tonë si Qeverisje Komunale, përkatësisht në vitin 2019. Ne atë kohë OJQ “Atronomy Outreach” është përkrahur me pajisje për dokumentacion dhe rregullim të parcelës apo pronës për ndërtimin e objektit si dhe në bashkëpunim me KFOR-in turk është hapur rruga e cila tani është asfaltuar”, thuhet në sqarimin e PDK-së në Shtime./Telegrafi/