Sot në Serbi mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të marrin pjesë me dy lista.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.
Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti bëri të ditur për KosovaPress, se në Preshevë të drejtë vote kanë 43 mijë e 500 votues. Në këtë komunë votohet në 38 qendra të votimit.
Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri tha se janë 42 mijë e 786 qytetarë me të drejtë vote, të cilët mund të ushtrojnë vullnetin e tyre në 59 qendra votimi.
Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ) i Serbisë ka njoftuar se në zgjedhje të drejtë vote kanë 6 milionë e 500 mijë e 666 qytetarë. /KP/