Telegrafi

Hansi Flick përgatit Gjermaninë për ‘finalen e parë’ në Kupën e Botës kundër Spanjës

Trajneri i Përfaqësueses së Gjermanisë, Hansi Flick, ka sfiduar lojtarët e tij që të reagojnë përpara ndeshjes së tyre ndaj Spanjës sot (e diel) në kuadër të grupeve në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Katër herë fituesit e botërorit pësuan një fillim katastrofik në këtë edicion në Grupin E, pasi Japonia i mposhti me rikthim 2-1 në Doha.

Në të kundërt, Spanja vendosi një rekord të ri të Kupës së Botës teksa mposhti Kosta Rikën 7-0, për të dalë në krye të grupit përpara takimit të sotëm në Al Khor.

Ndeshje e sotme është ‘jetë a vdekje’ për Panzerët pasi një humbje mund t’ia konfirmoj eliminimin nga Kupa e Botës.

Flick është i vetëdijshëm për atë që mund t’u ndodh dhe përpara ndeshjes ai është i sigurt për një përgjigje pozitive.

“Dy turnetë e fundit nuk ishin të mira”, ka thënë fillimisht Flick për BBC Sport.

“Ne duam të shmangim një përsëritje të Japonisë. Duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar”.

“Kjo është ‘finalja’ e parë për ne në këtë Botëror dhe për këtë bëhet fjalë”, përfundoi trajneri gjerman. /Telegrafi/