Telegrafi

“Handikos” përuron punimet për krijimin e qasjes më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara në objektin e Bibliotekës Kombëtare

Në objektin e Bibliotekës Kombëtare, Handikos-i ka përuruar punimet për krijimin e qasjes infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara.

Në gjithë objektin e bibliotekës janë vendosur shenja të cilat mundësojnë lëvizjen e lirë te të gjithëve, transmeton Telegrafi.

Drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi tha se një ndër sfidat kryesore e personave me aftësi të kufizuara është qasja dhe një projekt i tillë i ndihmon shumë në lehtësimin e jetesë së tyre.

Afrim Maliqi dhe Alban Morina

“Një gjë që është me rëndësi edhe pse është objekti i vjetër, ka mundur të rregullohet dhe të përshtatet nevoja të këtyre personave për të pasur hyrje të qasshme dhe të lehtë” tha Maliqi.

Gjithashtu edhe Alban Morina nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufi, tha tanimë është ofruar qasje në hapësirat administrative por që ky është vetëm fillimi dhe do vazhdojnë edhe me punime të tjera.

“Të gjitha punimet që i keni parë është vetëm një pjesë e projektit. Projekti ka filluar me takime dhe ka kulmuar me publikim e një udhëzuesi është doracaku. Në shumicën e objektit kemi krijuar qasje për personat me aftësi të kufizuar”, tha Morina.

Kurse Eldin Gashi, mentor avokues i fëmijëve më aftësi të kufizuara, e mirëpriti këtë projekt duke thënë që si student i ri, lëvizja për të do të bëhet më e lehtë.

“Këtë vit jam regjistruar si student dhe ndoshta do më bie të vizitojë më shpesh bibliotekën. Në të njëjtën kohë do të kem më të lehtë që te kem qasje ne objekt. Nuk jam përdorues i karrocës por pjerrinat dhe liftet ma ndihmojnë lëvizjen e lirë”, tha Gashi.

 

Ky projekti është financuar prej Ministrisë së Kulturës, për të krijuar qasje më të lehtë për personat me aftësi të kufizuar, në objektet e trashëgimisë kulturore./Telegrafi/