Site icon Telegrafi

Handikos dhe Shoqata e të Verbërve paralajmëruan mbylljen, Komuna fajin ia hedh opozitës

Handikos dhe Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve para disa dite kanë paralajmëruar mbylljen e objekteve, duke mos ofruar kështu shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

Përveç paralajmërimit për mbyllje, këto dy shoqata kanë bërë thirrje edhe për ndërhyrje urgjente nga institucionet komunale.

Si rrjedhojë e kësaj situate, Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me ç’rast të njëjtit përmes një përgjigje me shkrim ia hedhin fajin opozitës si shumicë në Kuvendin Komunal.

Lexo po ashtu Handikos në Gjilan dhe Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve rrezikojnë të mbyllen

Sipas drejtoreshës së Drejtorisë së Shëndetësisë, Doruntina Hasani, opozita ka marrë vendim që të ngarkojë buxhetin e drejtorisë në kategorinë e subvencioneve për pagesa të paplanifikuara.

“Pikërisht për shkak se opozita, e cila përbën shumicën në Kuvend Komunal, ka marrë vendim që të ngarkojë buxhetin e drejtorisë sonë në kategorinë e subvencioneve për pagesa të paplanifikuara. Na ka sjellë në një situatë në të cilën e kemi pasur të pamundur, për shkak të mungesës së buxhetit të hapim thirrje publike për mbështetje të OJQ-ve”, ka thënë Hasani.

Hasani thekson se si institucion nuk mund të favorizojmë dhe as diskriminojnë asnjë organizatë dhe se sipas saj, organizatat e tilla funksionojnë në bazë të projekteve që kanë dhe fondeve që realizojnë përmes tyre.

“Ne si institucione, nuk mund të favorizojmë dhe as diskriminojmë asnjë organizatë. Organizatat e tilla funksionojnë në bazë të projekteve që kanë dhe fondeve që realizojnë përmes tyre”, ka thënë drejtoresha Hasani.

Ndër të tjera, ajo tha se deri më tani këto organizata janë përkrahur në forma të ndryshme, duke u bazuar në kapacitet e komunës.

“Deri më tani i kemi përkrahur në forma të ndryshme, bazuar në kapacitetet tona. Tanimë shtate të tilla, përpos përkrahjes në forma të tjera, shfrytëzojnë pa kompensim objektet e komunës për realizimin e aktiviteteve të tyre”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, ndaj kësaj situate kanë reaguar edhe nga opozita në Gjilan, ku asamblistja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gresa Avdiu, i ka konsideruar alarmante paralajmërimet e Handikos dhe Shoqatës së të Verbërve.

Lexo po ashtu "Turp i madh për komunën", opozita reagon pas paralajmërimeve për mbylljen e Handikosit dhe Shoqatës së të Verbërve

Sipas saj, kjo kategori nuk guxon të mbetet pa përkrahje e përkujdesje.

“Personat me aftësi të kufizuara do të mbesin pa tri qendrat kryesore, të cilat kanë ofruar shërbime për ta. Kjo kategori e shoqërisë në asnjë formë nuk guxon të mbetet pa përkrahje e përkujdesje”, ka thënë Avdiu. /Telegrafi/

Exit mobile version