Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, sot është takuar me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Përmes një njoftimi, Hamza ka thënë se janë të përkushtuar që në koordinim me partnerët ndërkombëtarë ta përforcojnë paqen në tërë rajonin, shkruan Telegrafi.
“Si subjekt politik, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar, që në koordinim të plotë me partnerët tanë ta forcojmë paqen dhe sigurinë në tërë rajonin tonë. Ndërsa, si kandidat për kryeministër, prioritete të politikës së jashtme në qeverisjen time do të jenë forcimi i subjektivitetit shtetëror, normalizimi i raporteve ndërfqinjësore, përafrimi i vendeve të rajonit dhe integrimi euroatlantik”, ka thënë Hamza.
Sipas kryetarit të qytetit të Mitrovicës, në rrugën evropiane të Kosovës është “jetike” përkrahja e Gjermanisë. /Telegrafi/