Site icon Telegrafi

Hamilton fiton edhe në Gjermani

Gara për Çmimin e Madh të Gjermanisë, e zhvilluar në pistën e Hockenheim, ka parë triumfues sërish britanikun e Mercedesit, Lewis Hamilton, edhe pse “pole position”-in e një dite më parë e kishte siguruar gjermani i kësaj skuadre, Nico Rosberg.

Hamilton arriti ta parakalonte shokun e tij të skuadrës që në momentin e startit të garës, për të mos e humbur më kryesimin deri në xhiron e 67 dhe të fundit.

Podiumi është plotësuar nga dy pilotë të rinj, Daniel Ricciardo dhe Max Verstappen, të dy të Red Bullit, të cilët lënë pas tyre gjermanin Rosberg, në atë që mund të konsiderohet si një zhgënjim përpara fansave të tij në garën e shtëpisë, transmeton TopChannel.

Dy pilotët e Ferrarit kanë zhgënjyer edhe më tepër, duke mos mundur të shkojnë më shumë sesa vendet 5 dhe 6, me gjermanin Vettel përpara finlandezit Raikkonen. Ndër 10 të parët renditen edhe Hulkenberg, Button, Bottas dhe Perez.

Një fitore kjo që e ngjit britanikun Hamilton në krye të klasifikimit për pilotë, me 19 pikë diferencë nga shoku i tij i skuadrës, Rosberg.

Exit mobile version