Lewis Hamilton ka bërë një dedikim për legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, katër vite pas aksidentit të tmerrshëm të ish-pilotit gjerman.
Schumi u lëndua gjatë skijimit, ndërsa ishte në koma dhe akoma nuk është shëruar nga lëndimi i kokës.
Hamilton gjithmonë e ka treguar admirimin e tij për legjendën gjermane, të cilin e konsideron si njerëzit që kanë pasur më së shumti ndikim në ndërtimin e tij si pilot i suksesshëm i Formula 1.
Dhe përmes një postimi në Twitter, britaniku ka treguar edhe një herë se Schumacher mbetet në zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre që e duan sportin automobilistik.
“Michael, kur e barazova rekordin tënd të ‘pole position’ në Belgjikë këtë vit, kishte rëndësi shumë të madhe për mua dhe ishte një nder i vërtetë”.
“Lutem për ty dhe për familjen tënde gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Hamilton në Twitter duke ia bashkëngjitur hashtagët ‘vazhdo të luftosh Michael’ dhe ‘legjendë’.
https://twitter.com/LewisHamilton/status/942436345242357760
Edhe pse nuk ka një njoftim për gjendjen e vërtetë të tij, ish-trajneri i Schumacherit kishte deklaruar më herët se 48-vjeçari vazhdon luftën për t’u shëruar.
“Na mungon Michaeli, ai është aty, vazhdon të luftojë. Michael është një person shumë i veçantë, shumë i veçantë për automobilizmin”, kishte thënë Jean Todt. /Telegrafi/