Site icon Telegrafi

Haliti për mos ekzekutimin e pagave: Kjo situatë është krijuar me tendenca politike për ta paraqitur Komunën e Vitisë me imazh jo të mirë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur në takim drejtorët e shkollave për të diskutuar rreth problemit të mos ekzekutimit të pagave për arsimtarët e komunës së Vitisë

Gjatë këtij takimi, kryetari Haliti adresoi kritika ne Ministrinë e Financave, duke theksuar se kjo situatë është e papranueshme dhe ka ndikuar negativisht në mirëqenien e mësimdhënësve dhe funksionimin normal të procesit arsimor.

‘Kryetari Haliti theksoi se kjo situatë e krijuar është rezultat që ka të bëjë më shumë me tendenca politike të disa individëve që mundohen ta paraqesin komunën e Vitisë me një imazh jo të mirë. Ai ju bëri thirrje gjithë mësimdhënësve të vazhdojnë me punë normalisht sepse do të gjendet zgjidhja së shpejti dhe ata do ti marrin pagat e muajit të kaluar’, ka thënë ai.

Ai fajësoi Ministrinë për krijimin e këtij problemi, duke kërkuar që të merren masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të siguruar që pagat të shpërndahen sa më shpejt.

Haliti theksoi se ky mos ekzekutim ka krijuar shqetësim të madh te punëtorët e arsimit të komunës, të cilët sipas tij, janë të vetmit në Republikën e Kosovës që nuk kanë marrë pagat e muajit shtator.

Ndryshe, në këtë takim të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e Sindikatës së bashkuar të Arsimit në Viti, të cilët i dhanë mbështetje punëtorëve arsimor dhe kërkuan që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejt që të dilet nga kjo situatë. /Telegrafi/

Exit mobile version