Site icon Telegrafi

Haliti kërkon zgjidhje nga Ministria e Financave për pagat e mësimdhënesve vitias: Komuna nuk është fajtore për situatën e krijuar

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim përfaqësues të SBASHK-ut, pas situatës së krijuar për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit e kësaj komune.

Haliti ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, Financave dhe Transfereve që të bëjë zgjidhje sa më parë, duke theksuar së Komuna e Vitisë nuk është fajtore për gjendjen e krijuar.

“Komuna e Vitisë, nuk është fajtore për gjendjen e krijuar duke theksuar se edhe çështja e kontratës kolektive, ribursimi i tyre, dhe ekzekutimi i pagave është detyrim i nivelit qendror”, tha kryetari Haliti.

Ai gjithashtu theksoi edhe shqetësimet lidhur me mjetet financiare që janë marrë po ashtu edhe nga kodi për investime kapitale, duke thënë se kjo ndikon drejtpërdrejtë negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të komunës së Vitisë.

Ndryshe, ndaj situatës së krijuar kanë reaguar edhe nga SBASHK-u, ku të njëjtit poashtu kanë bërë thirrje për zgjidhje urgjente të çështjes së pagave të mësimdhënësve në komunën e Vitisë, të cilët ende nuk kanë marrë pagat për muajin shtator. /Telegrafi/

Exit mobile version