Besar Halimi ka vazhduar me formën e mrekullueshme në futbollin danez.
Reprezentuesi kosovar, ka shënuar edhe një gol me fanellën e Brondbyt, por kësaj radhe në Kupën e Danimarkës.
22-vjeçari ishte titullar si gjithnjë për klubin e famshëm danez, ndërsa realizoi një gol të bukur në sfidën që Brondby e fitoi 5-1 ndaj Ledoje Smorum.
Halimi shënoi në minutën e 56-të nga një distancë pasi kaloi tre futbollistë kundërshtar, ndërsa goli i tij ishte më i bukuri i mbrëmjes.
Pas formës fantastike që po kalon në futbollin danez, ylli nga Gjilani pritet të jetë titullar në ndeshjet e radhës të Kosovës.
Kujtojmë që Halimi është i huazuar tek Brondby nga skuadra e njohur gjermane, Mainz 05.
Në 13 paraqitje me fanellën e Brondbyt, Halimi ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar katër asistime. /Telegrafi/