Site icon Telegrafi

Halilhodzic shkarkohet nga Maroku vetëm disa muaj para Kampionatit Botëror

Vahid Halilhodzic zyrtarisht nuk është më trajner i Marokut, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Marokut.

Ata kanë njoftuar se kontrata me Halilhodzic është ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjeve dhe rreth mënyrës më të mirë të përgatitjes së kombëtares për Botërorin e Katarit.

“Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet mes Federatës Marokene të Futbollit dhe trajnerit Vahid Halilhodzic për mënyrën më të mirë të përgatitjes së ekipit kombëtar të futbollit për Kupën e Botës në Katar në vitin 2022, të dyja palët kanë vendosur të ndahen”, ka njoftuar Federata e Futbollit të Marokut.

Hakim Ziyech ka qenë një nga problemet e mëdha, pasi ai nuk ftohej nga Halilhodzic, i cili e përjashtoi sulmuesin e Chelseat nga kombëtarja për shkak të disiplinës së keqe.

Në Botërorin e Katarit, Maroku do të luajë në grup me Kroacinë, Belgjikën dhe Kanadanë.

Përzgjedhësi i ri i kombëtares marokene do të jetë Walid Regragui, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025. /Telegrafi/

Exit mobile version