Telegrafi

Hajvalia ka përparësi të mëdha

Ka edhe 15 ndeshje deri në fund të garave në elitën e futbollit, ndërsa lufta për titullin e kampionit gjithnjë është edhe më e paqartë.

Në valle për titullin e kampionit janë gjashtë skuadrat e para dhe secila ka lojtarë të dëshmuar. Java e 18-të ka ashpërsuar së tepërmi luftën për titullin e kampionit, pasi që lideri Feronikeli nga Drenasi ka vetëm një pikë larg vendit të dytë dhe të tretë, si dhe dy se i katërti e kështu më radhë.

Renditja në tabelë është shumë interesante, ngase Feronikeli udhëheq me 32 pikë, pasojnë Hajvalia e Llapi me nga 31 sosh, Gjilani është në vend të katërt (30), pastaj janë Besa (29) dhe Trepça ’89 (26), skuadra që mëtojnë titullin e kampionit.

Të gjitha këto ekipe presin gabimin e njëra-tjetrës në vazhdim të kampionatit dhe të përfitojnë që të ngjiten në krye të tabelës. Hajvalia tashmë si asnjëherë më parë është e trimëruar pas fitores (1:0) në fundjavën e kaluar kundër ekipit me renome, Prishtinës, duke rritur gjasat gjithnjë e më shumë për titullin e kampionit.

“Të kesh në ekip lojtarë si Alban Dragushën, Liridon Lecin, Shpëtim Babajn dhe Gëzim Gashin, vërtetë është një përparësi shumë e madhe për ne”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” Shkëlqim Pacolli, futbollist i Hajvalisë.