Hajvalia shpejt e harroi eliminimin shokues nga Kupa e Kosovës, duke iu rrekur shumë seriozisht luftës për titullin e kampionit.
Ekipi i Ismet Munishit e tregoi potencialin e vërtetë në derbi me Prishtinën, të cilin e fitoi të dielën, 1:0. Munishi thotë se djelmoshat e tij e konfirmuan kandidaturën për titull të kampionit, pasi e mposhtën një skuadër shumë të fortë.
“Mendoj se ne u konfirmuam se jemi kandidatë shumë seriozë për titull. E fituam Prishtinën, e cila vërtet ka bërë skuadër shumë të fortë me këto përforcimet që i ka bërë gjatë dimrit. Nuk është e lehtë të fitohet ndaj një Prishtine, duhet të jesh ekip i fortë për të fituar”, ka thënë Munishi për “Zërin”.
Ai është i vetëdijshëm se Hajvalia nuk do ta ketë të lehtë të triumfojë në një konkurrencë të fortë të sivjetshme, por optimizmi në skuadrën e tij thotë se është shumë i madh.
Fitorja ndaj Prishtinës e ka ngritur Hajvalinë në vendin e dytë të Superligës me 30 pikë, vetëm një më pak sesa kryesuesi Feronikeli.