Erling Haaland mund të mposhtë një rekord të jashtëzakonshëm që momentalisht mbahet nga Cristiano Ronaldo në rast se shënon në Ligën e Kampionëve këtë javë.
Norvegjezi e vazhdoi formën e tij të mirë edhe këtë vikend, duke shënuar dy herë në fitoren e Cityt me rezultat 2-1 ndaj Brentfordit, e cila e zgjati tutjen serinë perfekte të rezultateve këtë sezon.
Haaland dështoi që të bëhej lojtari i parë në Ligën Premier që shënon tri herë radhazi het-trik, por megjithatë arriti që të mposhtë një tjetër rekord.
Ai u bë lojtari i parë i cili ka arritur të shënojë nëntë gola në katër ndeshjet e para në elitën e futbollit anglez këtë sezon.
Duket se çdo ndeshje i ofron atij mundësinë për të thyer një rekord të ri, ndërsa as takimi me Interin të mërkurën nuk do të jetë më ndryshe.
Haaland momentalisht numëron 99 gola për Manchester Cityn në 103 ndeshje, që do të thotë se ka edhe një mundësi të mposhtë Cristiano Ronaldon i cili ka arritur shifrën e 100 golave pas 105 paraqitjeve për Real Madridin.
Në rast se Haaland dështon të shënojë në ndeshjen e ardhshme, ai do të ketë mundësinë ta barazojë pesë herë fituesin e Topit të Artë, por bazuar në formën e tij së fundmi, Ronaldo mund të shqetësohet për rekordin e tij në Arabinë Saudite.
Teksa ylli i Cityt ka një punë të vështirë për të barazuar numrin total të golave që Ronaldo kishte shënuar për Realin (451 gola në 438 ndeshje), Haaland është mjaft afër për ta thyer këtë rekord i cili me vite mban emrin e portugezit./Telegrafi/