Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland thotë se dëshira e tij për të mësuar dhe për të qenë lojtar më i mirë e ka shtyrë të nënshkruajë për gjigantët e Ligës Premier.
Pavarësisht interesimit nga disa prej klubeve më të mira evropiane, norvegjezi zgjodhi të nënshkruajë me Man Cityn, ku do të luajë nën drejtimin e Pep Guardiolas.
Në një intervistë me FourFourTwo, Haaland thotë se lëvizja e tij ishte menduar me kujdes për të çuar më tej zhvillimin e tij.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por duhet të jetë gjithmonë rreth mësimit, zhvillimit. Nuk mund të ndalesh kurrë së kërkuari mënyra të reja për t’u bërë më të mirë”.
“Shikoni Karim Benzema në Real Madrid. Ai është 34 vjeç tani, dhe papritmas ai është zhvilluar në një lojtar edhe më të mirë gjatë dy viteve të fundit – kjo është jashtëzakonisht e mirë. Unë dua ta bëj gjithmonë këtë”, ka thënë norvegjezi.
Megjithëse Guardiola ka treguar gatishmëri për të provuar lojtarë të ndryshëm në pozicione të ndryshme, Haaland e bëri të qartë se nuk e sheh veten duke luajtur askund tjetër përveçse në krye të sulmit.
“Unë e shikoja Ligën Premier shumë para se të mbërrija këtu dhe mendoj se gjatë viteve të fundit numri 9 i madh është bërë gjithnjë e më i rrallë, por kjo është arsyeja pse është edhe më mirë të jesh një i tillë tani!”.
“Është pozicioni përfundimtar dhe gjithmonë kam dashur të jem sulmues për shkak të kësaj. E dua pozicionin tim”, deklaroi ai. /Telegrafi/