Site icon Telegrafi

GUXIMI SKENIK I ARTËS!

Bisedoi: Agon Foniqi

E lindur në një familje artistesh (babai Izet Kallaba është kompozitor i njohur), qysh në fëmijëri sikur ishte orientuar për muzikë. Madje, në moshën tetëvjeçare kishte mësuar artin e violinës, në Shkollën e ulët të muzikës, duke kënduar shumë këngë të komponuara nga babai i saj. Më pas ajo kishte ndjekur edhe katër vjet të Solo Këndimit, por më vonë, përfundimisht ishte përcaktuar për teatër. Ajo, sakaq diplomoi në Degën e Regjisë së Teatrit, të Akademisë së Arteve të Prishtinës, me shfaqjen ‘Guximi për vrasje’, të autorit Lars Norëen dhe me aktorë të njohur të skenës tonë si Enver Petrovci, Arta Muçaj dhe Luan Jaha. Pra, tashmë guximi i Artës për artin skenik, kishte shpërthyer vrullshëm.
Por, si ishte karriera e saj dhe si u zhvillua ajo?

Arta, pasi u përcaktuat përfundimisht për skenën dhe regjinë, si ecën punët në këtë fushë mjaft interesante dhe fascionuese?
Mund të konsideroj se punët në fushën e regjisë më kanë ecur mirë. Qysh në fillim të studimeve, në festivalin e studentëve tanimë tradicional “Skena Up”, u shpërbleva me çmimin e parë, ngase shfaqja ime u vlerësua më e mira e Festivalit. Ky çmim ishte një motiv në kohën e duhur kur sapo fillova hapat e parë në këtë fushë, çmim i cili më dha edhe vetëbesim se nuk kam gabuar që e kam zgjedhur këtë profesion. E vazhdova me shumë vullnet e optimizëm punën dhe më pas erdhën edhe disa çmime të tjera, të cilët dëshmuan punën time edhe me tutje.

A ka regjisori tundim për ta realizuar një shfaqje të arrirë, aq më shumë kur dihet se puna juaj është ekipore dhe duhet të funksionojë çdo hallkë, në mënyrë që suksesi të jetë i plotë?
Vetë ideja për të realizuar një shfaqje që vjen nga vetë regjisori nënkupton se përgjegjësia më e madhe i takon atij. Për të funksionuar si duhet hallka e punës ekipore, duhet gjithmonë të koordinohet me gjithë ekipin e shfaqjes, siç janë: aktorët, skenografi, kostumografi, kompozitori, tekniku, etj…të cilët punojnë kryesisht me konceptin e regjisorit. Vetëm koordinimi i duhur mund të na japë shpresa për suksesin e një shfaqjeje. Unë duke u nisur nga përvoja ime personale mund te them se është një tundim i madh për regjisorin deri në momentin kur ndizen dritat dhe fillon shfaqja në premierë.

Sikur është bërë praktikë që edhe sukseset, e veçanërisht mossuksesi t’i përshkruhen regjisorit/regjisores. A është e drejtë kjo?
Si suksesi po ashtu edhe mossuksesi i një shfaqje i takon komplet ekipit të shfaqjes, se në momentin kur ata angazhohen në projekt, secili i merr përgjegjësitë për punën përkatëse pavarësisht që janë ide të një regjisori. Ata, të cilët janë pjesë e projekti janë artistë dhe secili vlerësohet individualisht për punën që e ka bërë, prandaj duhet të thyhet kjo tabu dhe suksesi e mossuksesi nuk duhet të bie vetëm mbi supet e regjisorit.

Në ç’farë pozitë është teatri në Kosovë, por edhe kultura në përgjithësi?
Më vjen mirë që interesimi për teatrin, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet tjera në Kosovë, po shtohet ditë e më shumë. Për shembull, kemi edhe rastin e funksionalizimit të teatrove profesionist në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës dhe kjo tregon se njerëzit e duan artin dhe kemi tradita kulturore si Komb.

Thuhet se ndarja e qëlluar e roleve është gjysma e suksesit?
Unë plotësisht besoj në këtë që thuhet, përderisa puna jonë është ekipore dhe njëra pa tjetrën nuk shkon, atëherë rëndësi të madhe ka se sa arrin të kuptosh karakterin e personazheve dhe të gjesh pastaj aktorët të cilët kanë së paku disa karakteristika të atij personazhi dhe janë në gjendje ta jetësojnë atë rol.

Si kaloni me regjisorët më të vjetër dhe a ka rëndësi përvoja në këtë fushë?
Kam një respekt tejet të lartë për të gjithë kolegët e veçanërisht për ata në moshë më të vjetër, ngaqë ata me përvojën e tyre janë mësuesit e gjeneratave të reja.

Çka iu bën juve të veçantë, ku fokusoheni më shumë, tek teksti, loja, apo tek të dyja bashkë?
Unë kujdesin kryesor ia kushtoj punës me aktorët. Por teksti është kryesori dhe ai i cili na nxitë për të punuar një shfaqje. Lidhshmëria e tekstit është e drejtpërdrejtë me lojën dhe nëse të dyja arrihet të harmonizohen si duhet, atëherë mund të themi se shikuesit i kemi ofruar diçka të bukur, atë që e kemi synuar.

Pas gjithë këtyre angazhimeve, duket se koha e lirë është tepër e rrallë?
Angazhimet nuk janë edhe të vogla, por unë profesionin tim e kam zgjedhur me dëshirë, me shpirt dhe nuk e marrë me siklet asnjëherë punën artistike. Pushimi më i këndshëm është ai kur punoj me artistë të mirë, të cilët edhe pa fjalë, i kuptojnë dëshirat dhe synimet e mia. Dashuria ndaj artit, të bukurës, më jep qetësi shpirtërore, andaj nuk kam fort nevojë për pushim ngaqë energjinë time ia kushtoj punës

Nuk po iu pyesim për jetën private, po iu kursejmë kësaj radhe, se, sikur po thuhet se arti dhe aventurat nuk shkojnë bashkë?
Ke te drejtë. Arti të përmbushë me dashuri dhe nuk të lë të ndjesh mungesa shpirtërore.

Jeni e gatshme të sakrifikoni shumëçka në emër të artit dhe për artin?
Po, jam e gatshme te sakrifikoj shumëçka, por jo gjithçka.

Keni ndonjë ofertë për ndonjë shfaqje tjetër?
Ofertat janë të shumta, por oferta të cilën nuk mund ta refuzoj është ajo që më ka ofruar Teatri i Gjilanit, pasi shumëçka më lidh me këtë teatër. Kam lindur në Gjilan dhe shfaqjen e parë kur kisha vetëm 2 vjet e kam parë në këtë Teatër.

Po ndonjë ofertë për të shkuar jashtë?
Interesimi i publikut nga jashtë dhe i kolegëve të shumtë që ndjekin punën tonë është tejet i madh, dhe ofertat janë të shumta, por ende nuk kam diçka konkrete për ta thënë tani.

Pretendoni ndonjë festival, apo më mirë të themi, ka Kosova shfaqje për festivale ndërkombëtare?
Kosova ka dëshmuar shpeshherë që kemi shfaqje për festivale ndërkombëtare. Tendenca e çdo regjisori është t’i thyejë kufijtë dhe t’i tejkalojë ata në hapësirat tjera, se Arti është i pakufishëm.

Arta Kallaba i jep shkëlqim artistik, të artë çdo shfaqjeje dhe e flakëron atë, dit e natë. Ajo, ka një karrierë të shkëlqyer, dmth të Artë. Artës i dëshirojmë shfaqje të arta, por edhe ndonjë çmim të artë!

/Telegrafi/

Exit mobile version