Site icon Telegrafi

“Gurët e Hershëm”, projekti që synon edukimin e komunitetit për vlerat kulturore të Mitrovicës

Projekti "Gurët e Hershëm"

Organizata jo-qeveritare “Green North” që vepron në Mitrovicë, së fundmi ka realizuar projektin “Gurët e Hershëm”.

Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Murat Hyseni, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qëllimi i këtij projekti është të ndërgjegjësojë dhe të edukojë komunitetin lokal dhe vizitorët për vlerat historike dhe kulturore të rajonit, shkruan Telegrafi.

“Gjithashtu, synohet të promovohen këto trashëgimi si një burim potencial për zhvillimin e turizmit kulturor dhe të qëndrueshëm, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik lokal”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka thënë tutje se disa nga trashëgimitë kulturore të përfshira në projekt janë: kulla e Isa Boletinit, kisha sakse dhe xhamia e Mazhiqit.

Drejtori ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare ka shtuar se projekti “Gurët e Hershëm” ka zgjuar interesim të madh tek qytetarët.

“Projekti ka zgjuar një interes të madh në mesin e qytetarëve, me një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve në aktivitetet e organizuara”, ka shtuar tutje ai.

Hyseni ka treguar se në veçanti, të rinjtë kanë treguar një angazhim të lartë, duke marrë pjesë në punëtori, ekskurzione edukative dhe aktivitete vullnetare që lidhen me projektin. Sipas tij, ky angazhim i të rinjve është shumë i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore për gjeneratat e ardhshme.

Ai ka bërë të ditur se disa prej monumenteve kulturore dhe siteve arkeologjike janë në rrezik të zhdukjes ose degradimit dhe sipas tij, ky projekt synon të parandalojë këtë.

Hyseni është shprehur se edukimi dhe informimi i komunitetit për vlerat historike dhe kulturore të rajonit janë thelbësore për ruajtjen e këtyre trashëgimive, transmeton Telegrafi.

“Duke promovuar trashëgiminë kulturore, projekti synon të tërheqë turistë dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik lokal”, ka potencuar drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Green North”.

Tutje, Hyseni ka theksuar se përfshirja e komunitetit, sidomos e të rinjve, është një mënyrë për të siguruar vazhdimësinë e kujdesit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. /Telegrafi/

Exit mobile version