Site icon Telegrafi

Guinea kalon në çerekfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës

Guinea ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës, duke mposhtur Guinenë Ekuatoriale në sekondat e fundit të ndeshjes me rezultat 1-0.

Në pjesën e parë dy kombëtaret kishin shanse të mira për të shënuar, por që nuk arritën t’i konkretizonin ato.

Në 45 minutat e dytë ishte një dramë e vërtetë, pasi kishte karton të kuq, penallti të humbur dhe goli në sekondat e fundit.

Federico Bikoro u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 55-të, për ta lënë Guinenë Ekuatoriale me dhjetë lojtarë në fushë.

Edhe pse kishin një lojtar më pak në fushë, guenejanët ekuatorialë fituan një penallti në minutën e 68-të, por që Emilio Nsue e goditi shtyllën, gjersa portieri shkoi në anën e kundërt dhe ishte veçse i mposhtur.

Heroi i Guinesë ishte Mohamed Bayo që realizoi në minutën e fundit të ndeshjes (90+8’) për rezultatin 1-0 dhe për ta dërguar vendin e tij në çerekfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Guinea do të presë fituesin e takimit mes Egjiptit dhe Kongos, për t’u përballur në çerekfinale. /Telegrafi/

Exit mobile version