The Guardian sot zbuloi listën e tyre të gjeneratës të së ardhshmes 2022, duke nxjerrë në pah 60 prej talenteve të rinj më të mirë të lindur në vitin 2005, ku në mesin e tyre ka zënë vend edhe djaloshi me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimovic.
Mediumi i njohur ka dhënë edhe detajet në lidhje me lojtarin, duke treguar pse e meriton një vend në mesin e më të mirëve.
“Një lojtar me siguri tërheqë shumë vëmendje kur quhet Ibrahimovic, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me Zlatanin. Megjithatë, Arijon, i lindur në Bavari nga prindër me origjinë nga Kosova, është një talent i jashtëzakonshëm”, thuhet në fillimi të shkrimit ku përmenden edhe rrënjët e tij.
“Mesfushori u promovua në ekipin U-17 në moshën 14 vjeç dhe iu bashkua ekipit U-19 kur ishte 15 vjeç. Në vitin 2021, “Ibrahimovici i ri” tashmë po stërvitej me ekipin e parë të Bayernit dhe la një përshtypje pozitive te trajneri, Julian Nagelsmann, me aftësitë dhe qëndrueshmërinë e tij në driblim”, shkruan The Guardian.
Edhe pse ka idhuj si Zlatan Ibrahimovic dhe Cristiano Ronaldo, ai mund të luajë dhe në mesfushën, por është një sulmues i mirë dhe mund ta luajë me topin me shpejtësi. /Telegrafi/