Site icon Telegrafi

Grusht-shteti në Mianmar – protestuesit mund të përballen me 20 vjet burg

Ushtria e Mianmarit ka paralajmëruar protestuesit kundër puçit në të gjithë vendin se mund të përballen me 20 vjet burg nëse pengojnë forcat e armatosura.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, dënimet e gjata dhe gjobat do të zbatohen gjithashtu për ata që zbulohet se nxisin “urrejtje ose përbuzje” ndaj udhëheqësve të grusht-shtetit.

Ndryshimet ligjore u njoftuan derisa automjetet e blinduara u shfaqën në rrugët e disa qyteteve.

Qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta ditët e fundit në Mianmar.

Demonstruesit po kërkojnë lirimin nga paraburgimi të udhëheqësve të tyre të zgjedhur, përfshirë lirimin e Aung San Suu Kyi si dhe rivendosjen e demokracisë në vend.

Të hënën, avokati i Suu Kyi tha se ajo do të ndalohej për dy ditë të tjera. Ajo më pas do të gjykohet përmes një lidhje video në një gjykatë në kryeqytetin Nay Pyi Taw të mërkurën.

Akuzat kundër saj përfshijnë posedim të pajisjeve të paligjshme të komunikimit, radio-telefona të përdorura nga stafi i saj i sigurisë.

Partia e saj u zgjodh fituese nëntorin e kaluar, por ushtria ka dhënë pretendime për mashtrim pa dhënë prova. /Telegrafi/

Exit mobile version