Të shtunën Shqipëria do të jetë nikoqire e Suedisë në “Qemal Stafa”, ndërsa ky do të jetë takimi i parë kompetitiv i trajnerit Arie Haan në krye të Kombëtares shqiptare.
Legjenda holandeze ka marrë pjesë në dy finale të Kampionatit Botëror në vitin 1974 dhe 1978, ndërsa Holanda i ka humbur të dyja finalet. Haan nuk ka pasur ndonjë sukses të madh me skuadra. Posti i trajnerit të Shqipërisë është i pesëmbëdhjeti të cilin e ka ndërruar Haan.
Sido që të jetë këtë herë ai ka në dispozicion disa lojtarë të talentuar të cilat luajnë në disa skuadra elite evropiane. Kapiteni i Marseille, Lorik Cana, është një kundërshtar i fuqishëm në mesfushë dhe njëkohësisht është njëri nga lojtarët që kërkohet me ngulm nga skuadrat e mëdha. Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, i cili luan me skuadrën e Bundesligas, Hannover 96, ofron përvojën në Përfaqësuese me 63 paraqitje për Shqipërinë.
Sulmuesi i Chievos, Erjon Bogdani, është thirrur sërish në kombëtare pas mungesës së tij në ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtajnit.
Pavarësisht se është e renditur në vendin e 102-të të ranglistës së përgjithshme botërore, Shqipëria mund të shkaktojë disa befasi në Grupin e parë, duke pasur parasysh se në shtëpi luajnë mirë. Gjatë kualifikimeve për Euro 2008 ata arritën të sigurojnë 11 pikë, ndërsa këtë herë dëshirojnë më shumë.
Nga ana tjetër nëse përmenden vetëm dy nga emrat e lojtarëve suedezë, kapiteni Henrik Larsson dhe superylli i Interit, Zlatan Ibrahimovic, e shndërron në ëndërr qëllimin e Kombëtares shqiptare për të nxjerrë një rezultat pozitiv.
Sido që të jetë Shqipëria do t’i ketë pas vetes edhe mbështetësit e flaktë, Tifozët Kuqezi, të cilët do t’i japin një shtytje të fuqishme lojës së Përfaqësueses së zemrës, prandaj nuk mund të konsiderohet befasi nëse Shqipëria shënon fitore.
Takimet tjera në Grupin e parë zhvillohen ndërmjet Hungarisë dhe Danimarkës, dhe ndërmjet Maltës dhe Portugalisë.