Telegrafi

Grosso: Sapo më telefonuan, Lyon u bë zgjedhja ime e parë

Fabio Grosso është prezantuar në një konferencë për shtyp si trajneri më i ri i ekipit francez, Olympique Lyon, ku ka zbuluar se rikthimi te ish-ekipi i tij u bë zgjedhja e tij e parë sapo ata e telefonuan.

Grosso u prezantua si trajner i ri i Lyon të shtunën, duke zënë vendin e Laurent Blanc, i cili arriti të arkëtojë vetëm një pikë në katër ndeshjet e para të sezonit në ligën franceze.

Përkundër faktit se e udhëhoqi Frosinonen drejt titullit kampion në Serie B, Grosso u largua nga ai pozicionin në fund të sezonit në kërkim të një aventure të re. Gjatë konferencës së tij për shtyp të hënën, ai ndau një moment për të falënderuar lojtarët dhe stafin e ekipit italian për punën e bërë.

Lexo po ashtu Fabio Grosso i bën një kërkesë interesante Buffonit pas pensionimit nga futbolli

“Sapo ata më telefonuan u bë zgjedhja ime e parë. E shfrytëzoj rastin të falenderoj njerëzit me të cilët punova në këto dy vite e gjysmë të Frosinone, unë jam këtu falë tyre. Do të punoj fort ta shpaguaj besimin”, ka thënë Grosso.

Fituesi i Kupës së Botës rikthehet në Francë, pasi paraprakisht kishte veshur fanellën e Lyon për dy sezone (2007/2009).

Ndeshja e parë e Grosso në krye të klubit francez do të jetë ajo ndaj Stade Brest, e cila do të zhvillohet me datë 23 shtator, në kuadër të javës së 6-të në elitën e futbollit francez./Telegrafi/