Site icon Telegrafi

Gropat në rrugë, problematikë e vazhdueshme për banorët e komunës së Gjakovës

Banorët e Komunës së Gjakovës, vazhdojnë që problematikat dhe shqetësimet të cilat ata i hasin, t’i adresojnë në platformën Ndreqe.com.

Një nga raportimet më të shpeshta në këtë platformë, vazhdon të mbetet problemi i gropave të hapura në mes të disa rrugëve, në zona të ndryshme të qytetit, ku së fundmi një çështje e tillë është raportuar nga qytetarët në Rrugën “Motrat Bejtullahu”.

Në foton e dërguar përmes platformës Ndreqe.com, vërehet se si një gropë është në mes të kësaj rruge, dhe se pavarësisht kësaj disa qytetarë janë munduar që këtë gropë ta mbulojnë me mjete të ndryshme, në mënyrë që kjo gropë të jetë më lehtë e kalueshme, por pavarësisht kësaj “ndërhyrjeje” të parakohshme, kjo gjendje në këtë rrugë mund të qojë deri në dëmtimin e ndonjë këmbësori, apo dëmtimin e një makine.

Ndërsa një shqetësim tjetër i adresuar nga banorët e Komunës së Gjakovës, është edhe një tabelë rrugore e rrëzuar në mes të rrugëve “Martirët e Kombit” dhe “Gjon Nikollë Kazazi”, dhe si shkak i rrëzimit të kësaj shenje në tokë, është bllokuar edhe një pjesë e trotuarit, e cila pjesërisht pengon lëvizjen e qytetarëve të kësaj zone.

Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në platformën Ndreqe.com për ankesat që kanë, ku më pas po intervenohet edhe nga organet përgjegjëse.

Vazhdoni të raportoni edhe më tutje për të gjitha problemet në komunat tuaja përkatëse. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version