Hulumtuesit nga Universiteti i Michiganit kanë studiuar 192 çifte brenda 17 vitesh. Çiftet janë ndarë në katër kategori. Në kategorinë e parë kanë bërë pjesë çiftet ku të dy partnerët e shprehin zemërimin, në kategorinë e dytë çiftet ku mashkulli ka qenë temperament dhe e ka shprehur inatin e tij, ndërsa femra ka qenë e qetë. Në kategorinë e tretë janë përfshirë çiftet ku vetëm femrat ishin eksplozive, ndërsa në të katërtën kanë qenë çiftet e qeta ku edhe femrat edhe meshkujt e kanë mbajtur në vete pakënaqësinë.
Sipas rezultateve, vdekshmëria ka qenë dy herë më e madhe te çiftet në kategorinë e fundit. Nga 26 çiftet ku të dy partnerët i kanë përmbajtur emocionet ka pasur 13 të vdekur. Ndërsa në tri grupet tjera që përmbanin 166 çifte ka pasur 41 të vdekur.
“Çiftet duhet të flasin për problemet e tyre, por me qëllim që në fund të pajtohen”, ka thënë udhëheqësi i studimit, profesor Ernest Harburg.
Edhe një hulumtim tjetër ka zbuluar dobitë nga zënkat konstruktive. Këshilluesi i çifteve, Andrew G. Marshall ka zbuluar se çiftet, të cilat janë të pakënaqur me lidhjen shumë rrallë zihen, madje edhe kur kanë probleme serioze dhe kur nuk mund ta kuptojnë njëri-tjetrin. Ata thjeshtë i ikin grindjes, gjë që më shumë e thellon pakënaqësinë.