Telegrafi

Grezda kthehet në hero, futet nga banka rezervë, shënon dhe i dhuron tri pikët e para skuadrës së tij

Eros Grezda është kthyer në hero në ndeshjen e katërt të kampionatit, me skuadrën e tij të re Zalaegerszegit, pasi i ka dhënë tri pikët e para në këtë sezon me golin e tij.

26-vjeçari u aktivizua nga banka rezervë në minutën e 69-të në ndeshjen ndaj Debrecenit, teksa realizoi golin e fitores për 2-1 në minutën e 86-të.

Shqiptari debutoi në ndeshjen e kaluar, përballë Puskas, e cila fillimisht u ndërpre për shkak të motit të keq dhe vazhdoi pas tri ditësh.

Vlen të theksohet fakti, se Grezda u transferua te skuadra hungareze nga radhët e Osijekut.

Dëmtimet e shumta, nuk e kanë lejuar mesfushorin e avancuar, që të shpalosë vlerat e tij.

Ky gol do t’i ndihmojë Grezdës që të gjejë formën e tij dhe të kthehet në majat e futbollit, aty ku ishte para dy vites. /Telegrafi/