Site icon Telegrafi

Grenell nderohet nga Vuçiqi – presidenti serb thotë se pati ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka ndarë një çmim Richard Grenellit, të dërguarit amerikan për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës gjatë administratës së Donald Trump.

Sipas mediave në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiq, gjatë dhënies së çmimit, vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë”.

“Kam nderin të shpreh mirënjohjen time në emër të qytetarëve të Serbisë për një njeri i cili në një kohë të shkurtër me punë të palodhshme pati një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së dhe pasuroi në mënyrë thelbësore lidhjet mes popujve tanë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Siç bëhet e ditur më tej, Grenell u nderua me “Urdhrin e Flamurit Serb” për shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E kam marrë një çmim të ngjashëm në Kosovë tre vjet më parë, kështu që jam vërtet i nderuar që e kam këtë çmim dhe mendoj se jam i vetmi person që kam marrë çmimin më të lartë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, ka thënë Grenell.

Ndërsa Grenell, citojnë mediat në gjuhën serbe, deklaroi se zgjidhja e vetme në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është që të dyja palët të bëjnë lëshime.

I dërguari i ish-administratës së Trump pretendon se bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi që t’i bëjë presion (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurti që të përmbushë marrëveshjen dhe më pas të ndikojë që të dyja palët të bëjnë lëshime.

Gabriel Escobar pasoi Grenellin si i dërguar i posaçëm i SHBA për Dialogun në gusht 2021. Që atëherë, Grenel e vizitonte shpesh Beogradin dhe i pyetur nga gazetarët nëse Qeveria e Serbisë e paguan Grenelin për lobim, Vuçiq u përgjigj në shkurt të këtij viti: “Nuk mendoj se e paguan, nuk jam në qeveri”. /Telegrafi/

Exit mobile version