Site icon Telegrafi

Grekët drejt kutive të votimit

Greqia po mban sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat ndoshta nuk do të kenë një fitues të qartë dhe nëse partitë politike nuk bien dakord për koalicion, pritet që zgjedhjet e ardhshme të mbahen në korrik.

Sondazhet parashikojnë se partia konservatore në pushtet Demokracia e Re do të fitojë shumicën e votave, por për shkak të ndryshimeve në sistemin zgjedhor të vendit, ndoshta nuk do të mjaftojë për një shumicë absolute, transmeton Telegrafi.

Qendrat e votimit u hapën në orën gjashtë të mëngjesit (7 me orën greke) dhe do të mbyllen në orën 18:00. Pak më pak se 10 milionë grekë kanë të drejtën e votës. Në orën 21:00 do të publikohen exit poll-et e para të gjashtë agjencive të hulumtimit të opinionit publik.

Demokracia e Re, e kryesuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, sipas sondazheve, po fiton mes 31 dhe 38 për qind të votave, e ndjekur nga partia opozitare e majtë Syriza, e cila duhet të ketë 4-7 pikë përqindje më pak. Agjencitë e sondazheve thonë se partive u duhen më shumë se 45 përqind e votave për të fituar plotësisht.

Lexo po ashtu Grekët nesër në kutitë e votimit: Mitsotakis lufton për mandat të ri, Tsipras pret rastin për fitore

Kriza e kostos së jetesës ishte një temë qendrore e fushatës zgjedhore dhe partitë u përpoqën të joshin votuesit me premtimet për të rritur pagën minimale dhe për të krijuar vende pune. Rritja e çmimeve pati një efekt intensiv tek grekët, standardi i jetesës së të cilëve u dëmtua ndjeshëm gjatë krizës dhjetëvjeçare të borxhit.

Rezultati i paqartë i zgjedhjeve do të çojë në negociata disaditore mes partive politike, për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe bashkëjetesë në qeveri.

“Rezultati i sotëm është një referendum ose për stabilitetin politik ose futja e një qeverie pa timon”, shkruan gazeta greke Proto Tema në editorialin e saj në faqen e parë.

Nëse asnjë parti nuk fiton, presidentja greke Katerina Sakellaropoulou do t’u japë tre partive kryesore një mandat tre-ditor, për secilën nga përpjekjet për të formuar një qeveri.

Sakellaropoulou më pas, nëse asnjë parti nuk do të ketë sukses, do të emërojë një qeveri të përkohshme për të drejtuar vendin deri në zgjedhjet e ardhshme, rreth një muaj më vonë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version