Site icon Telegrafi

Grealish: Kam menduar se do të shënoj shumë gola te City, është shumë e komplikuar

Jack Grealish u bashkua me Manchester Cityn në verën e vitit 2021, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në histori të klubit nga ‘Etihad Stadium’.

Kampioni në fuqi i Anglisë kishte paguar 117 milionë euro për transferimin e sulmuesit anësorë, por ai deri më tani nuk e ka shpaguar shumën e shpenzuar për të.

27-vjeçari në total ka zhvilluar 59 ndeshje zyrtare me Cityn, ku ka realizuar vetëm shtatë gola e ka asistuar në shtatë të tjerë.

Ai ka thënë se adaptimi te City nuk ka qenë aq i lehtë sa kishte menduar në fillim kur ishte transferuar në Manchester.

“Para se të transferohesha tek Manchester City, unë e kisha kaluar gjithë jetën tek Aston Villa. Nuk më ishte dashur kurrë të ndryshoja stilin tim, isha mësuar me atë se çfarë bëja në fushë”.

“Në fakt, nuk e kisha kuptuar mirë sa e vështirë ishte të adaptoheshe në një tjetër skuadër, me një trajner të ri. Kur u transferova te City kuptova se ishte shumë më e vështirë nga sa e kisha imagjinuar”.

Grealish kishte menduar se me tu transferuar te City do të kishte më të lehtë të shënonte, por e ka pranuar se është e komplikuar.

“Në mendjen time unë mendoja se fakti që isha pjesë e një skuadre që kryesonte renditjen në pjesën më të madhe do të më ndihmonte të shënoja shumë gola, por nuk është ky rasti. Është shumë e komplikuar”, deklaroi Grealish. /Telegrafi/

Exit mobile version