Ylli anglez Jack Grealish ka folur për “Sky Sports” duke thënë që aventura e deritanishme te Manchester City ka qenë më e vështirë seç e kishte paramenduar, dhe se ka ende më shumë për t’i ofruar klubit.
Lojtari i parë 100 milionësh në Premier Ligën angleze, ende nuk ka arritur nivelin që e kishte te Aston Villa, ku deri tani ka arritur të regjistrojë vetëm tre gola dhe tre asistime mbi emrin e tij në 20 paraqitje për Cityn.
Në ndeshjen e fundit të Cityt, Pep Guardiola nuk e kishte ftuar Grealish në grumbullim, pasi që ky i fundit së bashku me Phil Foden ishin parë duke festuar në një klub të natës, ku më pas Guardiola nuk ishte i kënaqur me gjendjen e tyre të nesërmen.
“Deri tani kam qenë mirë. Kam shumë më shumë për të ofruar. Ka qenë më shumë e vështirë se nga e kam paramenduar. Jam ende duke mësuar dhe duke u adaptuar. Kam dëgjuar se nganjëherë nevojitet deri në një vit për tu adaptuar këtu, kështu që ndoshta do të ndodhë e njëjta gjë me mua”, ka thënë Grealish.
Grealish po ashtu ka treguar se paraqitja në Ligën e Kampionëve ka qenë tejet ndryshe nga ato në Premier Ligën angleze, pasi që kjo është hera e parë që sulmuesi anësorë paraqitet në garat evropiane./KP