Site icon Telegrafi

Gratë obeze janë në një rrezik të veçantë nëse marrin pilula kontraceptive

Miliona gra në gjithë botën marrin apo do të marrin pilula kontraceptive ndonjëherë në jetën e tyre

Një hulumtim i ri ka zbuluar që gratë të cilat kanë një gjendje të zakonshme kanë një rrezik të shtuar nga krijimi i mpiksjes së gjakut gjatë kohës që marrin pilula.

Bëhet fjalë për gratë obeze të cilat marrin pilula kontraceptive, por të cilat kanë një rrezik më të lartë prej 12 deri në 24 herë nga zhvillimi i mpiksjeve të gjakut nga ato të cilat nuk kanë peshë të tepruar dhe nuk marrin pilula, shkruan “The Sun”, përcjell Telegrafi.

Studimet e mëparshme kanë zbuluar gjithashtu që pesha e tepërt gjatë marrjes së pilulave mund të rrisë rrezikun e krijimit të mpiksjeve të gjakut por kurrë nuk është konstatuar që ky rrezik është aq i madh.

Ekspertët nga Italia, Spanja dhe Gjermania kanë thënë që gratë obeze të të gjitha moshave duhet të konsiderohen dhe trajtohen si grup i rrezikuar.

Hulumtimi i cili është publikuar në “ESC Heart Failure” thotë që femrave me peshë të tepërt duhet ofruar metodën alternative të kontracepsionit siç është pilula e cila përmban vetëm progesteron.

Kontraceptivët që përmbajnë estrogjen paraqesin rrezik për mpiksjen e gjakut.

Kjo lloj mpiksje gjaku, e njohur si tromboza e venave të thella, mund të jetë fatale, zakonisht ndodh në këmbë dhe ka tendencë të prekë venat më të mëdha që kalojnë nëpër muskuj dhe kofshë.

Të qenit mbipeshë rrit mundësinë e të gjithëve për të zhvilluar trombozë të venave të thella, dhe kjo duket se është veçanërisht e vërtetë tek gratë. /Telegrafi/

Exit mobile version