Telegrafi

Gratë aktiviste kërkojnë më shumë projekte për fuqizim ekonomik

Gratë aktiviste të Komunës së Prizrenit, të premten, gjatë takimit informues në kuadër të procesit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, kanë kërkuar më shumë projekte për fuqizimin ekonomik të tyre por edhe përmirësimin e infrastrukturës si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në takimin e organizuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, udhëheqësi i këtij dikasteri, Pranverim Berisha ka pohuar se pushteti lokal synon transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në hartimin e dokumenteve të planifikimit dhe se për këtë arsye pret edhe kontributin prej komunitetit të grave. “Kontributi i juaj është i vlefshëm në mënyrë që PZhK-ja të jetë sa më e kompletuar”, ka thënë Berisha, transmeton Telegrafi.

Shpresa Osmanollaj-Krapi nga DUPH-ja ka deklaruar se PZhK-ja është ndër dokumentet më të rëndësishme strategjike që parasheh zhvillimin e Komunës për së paku 8 vitet e ardhshme.

“Prandaj ju inkurajoj që t’i paraqitni sugjerimet e kërkesat që keni lidhur me këtë dokument”, është shprehur Osmanollaj.

Ndërsa, Zejxhan Celina nga Oda e Prizrenit ka theksuar se ka 10 vite që nuk po merret parasysh kërkesa e grave zejtare për një qendër artizanale.

“Kemi kërkuar një lokal në qendër të qytetit që do të shfrytëzohej si atelie për të promovuar punimet artizanale të grave që punojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Celina.

Kuvendarja nga radhët e PDK-së, Ymran Fusha ka pohuar se kjo kërkesë është adresuar tek organet komunale rishtazi dhe se është në shqyrtim. Në të njëjtën kohë ka propozuar që në parkingje të sigurohen vende për gratë shtatzëna dhe me fëmijë të porsalindur.

Esen Kajmakçi ka pyetur se si sigurohet transparenca dhe llogaridhënia gjatë zbatimit të PZhK-së dhe çfarë masash janë paraparë për fuqizimin e grave si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, Shykran Berisha është interesuar nëse ka mbikëqyrje të duhur të ndërtimeve bazuar në lejet që lëshohen nga Komuna e Prizrenit.

Zyrtarët e DUPH-së janë përgjigjur në çështjet e ngritura dhe kanë kërkuar që të gjitha propozimet tjera në raport me PZhK-në të adresohen me shkrim.

Drejtori Pranverim Berisha ka bërë të ditur se takimi me gratë përmbyll fazën e takimeve informuese me qytetarët për hartimin e PZhK-së.

Deri më tani janë mbajtur 15 takime të tilla me hisedarët në lokalitete të ndryshme të Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/