Nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndeshja hapëse e xhiros së 26-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut ndërmjet Sileksit dhe Gostivarit.
Takimi i luajtur në Kratovë u mbyll me barazim pa gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjejnë rrjetat për 90-të minuta, duke u ndarë kështu në fund me barazim dhe me nga një pikë në konto secila.
Skuadra shqiptare këtë ndeshje e mbylli me një futbollist më pak, pasi Amir Bilali u përjashtua me karton të kuq dy minuta para fundit të ndeshjes.
Kështu Sileksi vazhdon në pozitën e katërt me 37 pikë, ndërsa Gostivari mban vendin e gjashtë me 33 pikë.
Ndërkohë ditën e nesërme në program janë pesë ndeshjet tjera të kësaj xhiroje. Struga Trim Lum si kampion në fuqi do të jenë mysafirë në kryeqytet aty ku do të përballen me Vardarin.
Shkupi do të luaj në qytetin e Shtipit kundër Bregallnicës, teksa Shkëndija zhvillon transferën ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit.
Voska në shtëpi pret Rabotniçkin, ndërsa Tikveshi luan me Brerën. Të gjitha ndeshjet luhen nesër nga ora 15:00. /Telegrafi/