Telegrafi

Google AdWords njeh Kosovën

Më pas, Telegrafi ka provuar ta krijojë një reklamë të re në AdWords, dhe në pjesën e zgjedhjes së audiencës së përcaktuar është lejuar zgjedhja e Kosovës si shtet i veçantë, apo si shtet i pavarur në të cilin blerësit e reklamave mund ta postojnë reklamën për biznesin e tyre.

Dhe, ky është një hap i jashtëzakonshëm në sferën digjitale për Kosovën, diplomacia e së cilës së fundmi është duke luftuar fuqishëm për njohjen e Kosovës në internet, ndërsa gjithnjë është synuar që shteti të njihet nga lojtarët më të mëdhenj të industrisë, kompanitë si Google apo Facebook.

Në HTTPool Digital Day Kosovo (ngjarjen e bashke-organizuar nga HTTPool dhe Telegrafi), përfaqësuesi i Google për Ballkan, Darko Dujic, pati thënë se Google ka plane për Kosovën, në strategjinë e saj për Ballkanin, edhe pse pati paralajmëruar se kjo gjë nuk do të ndodhë shumë shpejtë.

Megjithatë, këtij momenti duket se i ka kontribuar edhe projekti i fundit i Kosovës për njohjen e saj në internet, Digital Kosovo, faqe e cila synon integrimin e shtetit tonë në sferën digjitale, përmes kërkesave të shumta që dërgohen nga anëtarët e saj.

Tani, pritjet e përdoruesve janë që edhe shërbimi tjetër Google AdSense ta listojë gjuhën shqipe në mesin e gjuhëve për reklama në motorin më të madh të kërkimit në botë.

Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për Google AdWords, duhet të thuhet se ky produkt ka evoluar për tu bërë produkti më i rëndësishëm i reklamimt të kompanisë Google, dhe burimi kryesor i të hyrave. 

Duke e ditur rëndësinë e këtij lajmi për prezencën e Kosovës në internet, Telegrafi kërkon aktivizim masiv nga të gjithë Telegrafistat për ta shpërndarë lajmin në Twitter, për ta bërë atë term i cili do të jetë “trending” në këtë rrjet social.