Telegrafi

Goli spektakolar i Ocampos nga penalltia në ndeshjen ndaj Alavesit, po bën xhiron e botës në internet

Sevilla pësoi humbje me rezultat 3-2 në shtëpi ndaj Alavesit, duke marrë kështu një goditje të rëndë sa i përket luftës për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.

Mysafirët shënuan dy gola me anë të Nahuel Tenaglia dhe Kike Garcia, para se Sevilla të rikthehej në lojë duke barazuar shifrat në 2-2, vetëm që në minutën e 90-të, Alaves të shënoi golin e fitores.

Sidoqoftë, më shumë se rezultati ajo që po merr vëmendjen e tifozëve anembanë botës është mënyra se si sulmuesi argjentinas, Lucas Ocampos e ekzekutoi penalltinë në minutën e 82-të.

Teksa presioni në këmbët e tij ishte në maksimum, 29-vjeçari nuk u shqetësua shumë rreth kësaj dhe arriti që të shënojë me një goditje “no-look” për të barazuar shifrat në 2-2.

Ky gol natyrisht që çoi në delir tifozët e pranishëm në stadium të cilët ‘shpërthyen’ në festë, mirëpo vetëm disa minuta më pas u zhgënjyen kur ekipi i tyre pësoi golin e tretë duke pësuar kështu humbjen e tretë radhazi në La Liga.

Në anën tjetër për Ocampos ky ishte goli i tij i tretë këtë edicion, teksa ka edhe një asistim./Telegrafi/