Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena” javën e shkuar, Laçi i Shpëtim Duros arriti që të fitojë minimalisht në ndeshjen e luajtur në Podgoricë ndaj Iskras me rezultat 1-0, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Ligës së Konfernecës.
Ashtu si në ndeshjen e parë, Laçi ishte më këmbëngulës, dominoi dhe u shpërblye, duke vijuar paraqitjet pozitive në arenën ndërkombëtare.
Në të 19-ën u regjistrua episodi që bëri diferencën, me Mentor Mazrekajn që tregoi klasin e tij.
Kapiteni ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi që nuk u devijua dot nga askush, duke shkuar në rrjetën e portës së Iskrës (1-0).
Në vijim bardhezinjtë humbën disa raste të pastra me Adeleke dhe Guindo që ishin rrezik potencial në kundërsulme.
Pjesë e dytë kishte të njëjtën fytyrë si e para, me Laçin që e menaxhoi mjaft mirë ndeshjen, duke marrë rezultatin që i mjaftoi për të marrë kualifikimin në raundin e dytë.
Hera e pestë në gjashtë vitet e fundit që bardhezinjtë arrijnë që të kalojnë minimalisht një tur, duke dëshmuar se në Evropë e kanë recetën e suksesit.
Kundërshtarët e radhës për Laçin do të jenë moldavët e Petrocub./Telegrafi/