Telegrafi

Goli mahnitës i Rodrit ndaj Bayern Munich vlerësohet lartë

Ylli i Manchester Cityt, Rodri, hapi rezultatin në çerekfinalen e Champions League kundër Bayern Munich, në mënyrën më mahnitëse të mundshme.

Manchester City ka fituar me rezultat të pastër 3-0 ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar në Etihad.

Golat për ekipin e Pep Guardiolas u shënuan nga Rodri (27’), Bernardo Silva (70’) dhe Erling Haaland (76’).

Lexo po ashtu ‘Qytetarët’ spektakël dhe super gola ndaj Bayern Munich, fitore që e mban në hap me gjysmëfinalen

Megjithatë, goli i parë i shënuar nga mesfushori spanjoll Rodri ka ‘vjedhur’ gjithë vëmendjen.

Rodri shënoi një supergol nga distanca, ku me këmbën e majtë nuk i dha asnjë mundësi portierit Yann Sommer, pasi më parë shmangu Jamal Musialan.

Ky gol i shënuar nga mesfushori spanjoll ka bërë të flasin shumë tifoz dhe figura të njohura të futbollit.

“Uau. Çfarë goditje e pabesueshme nga Rodri”, ka thënë legjenda angleze, Alan Shearer.

“Kjo është këmba ‘më e dobët’ e Rodrit meqë ra fjala! ÇFARË GOLI!”, shkroi një fans në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër shtoi: “Goli i Rodrit. Një shigjetë kaq e vërtetë, e shtyrë me aq art, fuqi dhe hark sa që as shiu i Mançesterit dhe as Yann Sommer nuk mund ta ndalonin”. /Telegrafi/