Olympique de Marseille dhe Paris Saint-Germaini kanë luajtur pa gola në derbin francez që njihet si ‘Le Classique’, në kuadër të javës së 11-të në Ligue 1, në sfidën e zhvilluar në Stade Orange Velodrome.
Luan Peres e futi topin në rrjet për skuadrën nikoqire në minutën e 14, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Njësoj ndodhi edhe në minutën e 21-të kur Arkadiusz Milik reagoi pa ndonjë shqetësim për të shënuar, por përsëri ndërhyri VAR-i dhe goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Në vazhdim, Lionel Messi krijoi dy raste të rrezikshme në pjesën e parë, mirëpo nuk u tregua i saktë.
Nga minuta e 57-të e takimit, mysafirët luajtën me një lojtar më pak në fushë, pasi gjyqtari Benoit Bastien e përjashtoi me karton të kuq Achraf Hakimin pas konsultimit të VAR-it.
Me gjithë epërsinë numerike në fushë, vendasit nuk ia dolën që ta fitonin ndeshjen, ashtu që skuadrat i ndanë pikët.
Paris Saint-Germaini vazhdon të jetë lider i Ligue 1 me 28 pikë, shtatë më shumë se përcjellësi i parë, Lens. Ndërsa Marseille është në vend të katërt me dhjetë pikë më pak. /Telegrafi/