Telegrafi

Gjyqtari zviceran pranon publikisht se është homoseksual, reagon edhe Kololli: Nëse ka në skuadrën tonë, më mirë mos të tregojnë

A ka futbollistë homoseksual? Kjo është pyetja më e shpeshtë që përdoret nga mediat e huaja.

Së fundmi në Zvicër, gjyqtari i futbollit Pascal Erlachner ka pranuar publikisht se është homoseksual dhe kjo gjë nuk është pritur mirë.

“Homoseksualizmi në futboll ende është një tabu e madhe mes lojtarëve dhe gjyqtarëve”, ka thënë gjyqtari zviceran.

E për këtë temë e përditshmja zvicerane ‘Sport Blick’, e ka pyetur edhe reprezentuesin e Kosovës, Benjamin Kolollin.

Pascal Erlachner, gjyqtari që pranoi publikisht se është homoseksual

“Ky është mendimi i tij dhe zgjedhja e tij. Ne jetojmë në një botë ku çdo gjë mund të ndodhë”.

“Ne e kemi diskutuar brenda ekipit këtë temë. Nëse një futbollist do të dilte publikisht do të ishte negative”, ka thënë ylli nga Kosova.

Por pyetja e radhës ishte për lipjanasin nëse ka homoseksualë në skuadrën e tij Lausanne.

“Shpresoj që jo, por gjithçka është e mundur. Nëse ka homoseksualë atëherë më mirë ta mbajnë për vete atë dhe mos të tregojnë në publik”, tha Kololli.

Benjamin Kololli është futbollisti kryesor i Lausannes në Superligën e Zvicrës

25-vjeçari mendon se nëse do të kishte një homoseksual në skuadër do të ndikonte negativisht tek grupi.

“Nëse do të kishte homoseksual mund të krijonte konflikt. Ne të gjithë bëjmë tush së bashku dhe nuk do të ishte ide e mirë që një futbollist ta bënte publike”, tha Kololli.

E përditshmja zvicerane ‘Blick’, i cilësoi deklaratat e Kolollit si të pamatura duke shkruar gjithashtu se në Zvicër nuk ka tolerancë në bazë të fjalëve që tha ylli i Kosovës. /Telegrafi/