Telegrafi

Gjykata Supreme vërteton se qytetarëve i është faturuar jashtëligjshëm rryma e shpenzuar në katër komunat veriore, reagon LDK

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar, pasi Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve të Kosovës për katër komunat veriore të vendit.

Azemi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Sot Gjykata Supreme dëshmoi diskriminimin ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët u faturuan padrejtësisht me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë”.

“Vitin që shkoj, Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth 100 milionë euro për ti mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit, duke vazhduar avazin e qeverisjes së PAN-it. E gjithë kjo, nga paaftësia për t’u zbatuar marrëveshja për inkasim të faturave dhe duke mos pasur asnjë plan të qartë për dalje nga kjo situatë”, ka shkruar Azemi, përcjell Telegrafi.

“Gjendja po mbetet e njëjtë. Pavarësisht krekosjes për shtrirje të sovranitetit në Veri, rezultati i këtij pushteti po del të jetë vazhdimi i trajtimit të pabarabartë të qytetarëve. Kurse, marrëveshjet e Brukselit të proklamuara si të suksesshme po rezultojnë farsë”, ka shkruar ai.

Gjykata Supreme më 13 prill e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kundër aktgjykimit të Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës.

Lexo po ashtu Gjykata Supreme vërteton që qytetarëve i është faturuar jashtëligjshëm rryma e shpenzuar në katër komunat veriore

Nga përfundimi i luftës deri më 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës – përjashto veriun – kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Më 2017, Gjykata e Apelit kishte vendosur se është e jashtëligjshme praktika që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Në vendimin e Gjykatës Supreme u tha se kjo praktikë e faturimit nuk është në përputhje me Ligjin për rregullatorin për energji elektrike, pasi “është bërë trajtim i pabarabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me banorët e pjesës tjetër dhe se i njëjti faturim nuk është i autorizuar me ligj”. /Telegrafi/