Gjykata saudite dënon me 16 vjet burg shtetasin amerikan për postime kritike në Twitter
Një shtetas amerikan i arrestuar në Arabinë Saudite është dënuar me 16 vjet burg për mesazhet kritike ndaj qeverisë në Twitter, ka thënë djali i tij për BBC.
Saad Ibrahim Almadi, 72 vjeç, i cili gjithashtu ka nënshtetësi saudite, u arrestua në nëntor pasi udhëtoi nga Florida në Riad për të parë familjen.
Djali i tij tani ka folur për herë të parë publikisht, duke shkuar kundër asaj që ai thotë se ka qenë këshilla zyrtare e SHBA.
Ibrahim Almadi tha se nuk donte ta shihte babanë të vdiste në burg, transmeton Telegrafi.
Ai pretendoi se Saad ishte mbajtur në kushte çnjerëzore në burg nga autoritetet saudite.
Gjykata saudite që dha dënimin me burg e shpalli atë fajtor për tentim destabilizimi të mbretërisë dhe për mbështetjen dhe financimin e terrorizmit.
Ibrahimi thotë se e vetmja provë e paraqitur përfundimisht në gjykatë përbëhej nga 14 mesazhe në Twitter.
Tweetet, të cilat BBC i ka parë, përfshijnë kritika për prishjen e pjesëve të vjetra të qyteteve të Mekës dhe Jeddah, shqetësim për varfërinë në mbretëri dhe një referencë për gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi.
Saad u shpall gjithashtu fajtor për mosraportimin e terrorizmit mbi mesazhet që Ibrahimi kishte postuar në një llogari të veçantë, sipas djalit të tij.
Prokurorët donin ta dënonin atë me 42 vjet burg, tha ai. Dy javë më parë, ai u dënua me 16 vjet burg dhe më pas me 16 vjet ndalim udhëtimi, shtoi ai.
Edhe pse Ibrahimi nuk ka qenë në gjendje të flasë me të atin që kur u arrestua, anëtarët e familjes në Arabinë Saudite kanë thënë se u është dhënë qasje me Saad dhe se ai u tha atyre se ishte mirë. /Telegrafi/